Njohja më Shpirtin e Shenjtë!
Mosbesimi vjen nga krenaria. Njeriu krenar thotë se do të njohë gjithçka me mendjen dhe shkencën, por njohja e Perëndisë ngelet e paarritshme për të, sepse Perëndia njihet vetëm me shfaqjen e Shpirtit të Shenjtë.
Zoti shfaqet te shpirtrat e përulur. Tek ata Ai tregon veprat e Tij, të cilat nuk i përshtaten mendjes sonë. Me mendjen tonë të kufizuar tokësore mund të njohim vetëm gjërat që i përkasin kësaj bote, edhe ato jo plotësisht, por Perëndia dhe gjërat qiellore, njihen me anë të Shpirtit të Shenjtë.
Disa mundohen gjatë gjithë jetës të mësojnë se çfarë përmban hëna dhe dielli, gjëra të cilat nuk i japin dobi shpirtit. Por nëse do përpiqeshim të mësonim çfarë ekziston brenda njeriut, atëherë do të shihnim në shpirtin e mëkatarit errësirën dhe ferrin.
Eshtë e dobishme ta dimë sepse do të jemi përgjithmonë ose në Mbretërinë e Zotit, ose në ferr.
Zoti dërgoi në botë Shpirtin e Shenjtë. Ata që e morën e ndiejnë parajsën brenda tyre.
Nuk e marrin Shpirtin e Shenjtë ata që jetojnë sipas dëshirës së tyre dhe jo sipas vullnetit të Perëndisë. Ai që jeton sipas vullnetit të tij egoist, nuk ka asnjëherë paqe në shpirtin e tij dhe nuk kënaqet me asgjë.
Ai njeri i cili u dorëzua plotësisht te vullneti i Perëndisë, ka lutjen e pastër dhe shpirti i tij ka dashuri për Perëndinë.
Kështu iu dorëzua Perëndisë Virgjëresha e Tërëshenjtë, Zonja Shën Mari: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë tek unë sipas fjalës sate.”(Llk.1:38).
Nëse thoshim edhe ne kështu: “Ja shërbëtori i Zotit, u bëftë vullneti i Tij “, atëherë fjalët e Zotit do të jetonin në shpirtin tonë, dashuria e Perëndisë do të mbretëronte në botë dhe çdo gjë do ishte më e bukur dhe plotë hir.
Por megjithëse fjalët e Perëndisë dëgjohen kaq vite në gjithë botën, njerëzit nuk i kuptojnë dhe nuk duan t’i pranojnë, por ai që jeton sipas vullnetit të Perëndisë do lavdërohet edhe në qiell edhe në tokë.
Mitropolia e Shenjtë e Apollonisë dhe Fierit