/ Predikime-Katekizma- Artikuj / Nuk ka fat, por bekim!

Nuk ka fat, por bekim!

Nuk ka fat, por bekim!

 

Nga Miron Çako

Dhe ashtu siç ai bekoi Abrahamin “Zoti e ka bekuar shumë zotërinë tim, që është bërë i madh; i ka dhënë dele dhe qe, argjend dhe flori, shërbyes dhe shërbyese, deve dhe gomarë.”(Zanafilla 24 35)

Ose siç bekoi Jobin “A nuk ke vënë ti një mbrojtje rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe të gjitha gjërave që ai zotëron? Ti ke bekuar veprën e duarve të tij dhe bagëtia e tij është shtuar shumë në vend.” (Jobi 1 10)

Në disa pjesë të Shkrimit të Shenjtë shpesh ndodh një paradoks që për një rast të veçantë, i dobëti të bekojë të fuqishmin dmth, njeriu të guxojë të bekojë Zotin. Kjo vjen nga që njeriu duke qenë i varfër dhe nuk ka asgjë për ti dhënë të pasurit, asgjë që ti falë Perëndisë, është bekimi ai që cakton mes qenieve një rrjedh jetike të anasjelltë, që e lejon më të voglin ndër njerëz, të shikojë mbi vete vërshimin e bujarisë së Zotit dhe kështu ai në mirënjohje e bekon Zotin që është përmbi të gjitha bekimet që do të thotë;të pohosh bujarinë e tij dhe ta falenderosh, kjo është detyra parësore e gjithë krijesës. “ Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë”. (Psalmi 102 1-2 )Ta bekosh Zotin nuk do të thotë se i shton sadopak pasurinë e Tij, por rrëmbehesh nga hovi i këtij zbulimi dhe nxitesh të ftosh botën për ta lavdëruar për mirësinë e tij. Bekimi është përherë rrëfim publik i fuqisë Hyjnore dhe falenderim për bujarinë e Tij. “Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka. Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij. Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij. Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!” ( psalmi 102 19-22)

Të bekuar që në fillim nga krijuesi burri dhe gruaja “Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë”.(Zanafilla 1 28), ata me mëkatin e tyre bënë që të shpërthejë mallkimi i Zotit mbi gjithë krijimin “ toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd”(Zan 3 17). Perëndia në dashurinë e tij nuk e braktisi njeriun në mallkim ashtu siç i tha gjarprit(djallit) “Qofsh i mallkuar…gjithë ditët e jetës sate”(Zan 3 14). Zoti për ta shpëtuar njeriun dhe botën nga mallkimi i mëkatit për shkak të zilisë së djallit dërgoi Birin e Tij të bekuar për jetë që të bëhet mallkim për ne, që të na liroj nga barra e mallkimit, ashtu sic thotë apostull Pavli “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru” ( Gal 3:13)

Apostull Pavli thotë;“Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin, ”(Romakeve 8 32)

Dy lëvizjet e bekimit, Hiri që zbret dhe falenderimi që ngjitet janë përmbledhur në Jisu Krishtin dhe asgjë tjetër nuk ka përtej këtij bekimi që është dhurata më e madhe e Perëndisë për njerëzit, ashtu sic na thuhet te Zbulesa;

“Pas këtyre gjërave, pashë një turmë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte, prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve; këta qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me rroba të bardha dhe me palma në duart e tyre. Dhe thërrisnin me zë të madh… duke thënë: “Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit”, duke thënë: “Amen! Bekimi, dhe lavdia, dhe dituria, dhe falendërimi, dhe nderimi, dhe fuqia dhe forca janë te Perëndia ynë në shekuj të shekujve. Amen!”(Zbulesa 7 9 10 12)

Të bekosh dikë do të thotë të bashkohesh në njëfarë mënyre me të, prandaj dhe bekimi(dhurata) më e madhe që Perëndia i jep njeriut me anë të Jisu Krishtin është trupi dhe gjaku i Tij, ashtu sic Zoti tha;

“Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim”. Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.”(Luka 22 20) “Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të.”( Joani 6:56)

Bekimi i eukaristisë përmban të gjithë bekimet e Perëndisë në Krishtin, është akti i tij i fundit, është bekimi që Ai i la Kishës së vet “Bëjeni këtë në përkujtimin tim” (1kor 11 24)

Zoti Jisu Krisht kur u largua për në qiell i la bekimin e përjetshëm nxënësve të tij“Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell.”(Luka 24 51)

Përveç Krishtit që është dhuratë dhe bekim i dashurisë së Atit për ne, po ashtu është edhe Shpirti i Shenjtë

“Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend… Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin”. ( Vep Apostujve 2 1-4)

“Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.”(Romakeve 5 5)

Kur Ati Perëndi na ka dhënë si bekim (dhuratë) dhe jo si fat Birin dhe Shpirtin e Tij të Shenjtë, sa më tepër do të japi cdo gjë që është e nevojshme për ne në këtë jetë dhe për përjetësinë. Zoti tha : “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t`ju shtohen”.(Mateu 6:33)

Nuk ka fat por bekim në Zotin, kjo është arsyeja pse në kupolat e kishave orthodhokse është i ikonizuar Krishti Pantokrator (i gjithë pushtetshëm) duke bekuar me dorën e djathtë në Emrin e tij, që formohet me pozicionin e gishtave në inicialet IC XC.

 

http://www.tiranaobserver.al/nuk-ka-fat-por-bekim/

Nuk ka fat, por bekim!