/ Predikime-Katekizma- Artikuj / PASHKA E SHENJTË NGJARJA UNIKE

PASHKA E SHENJTË NGJARJA UNIKE

PASHKA E SHENJTË NGJARJA UNIKE

 

Klerit dhe Besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë

Bijtë e mi të dashur më Krishtin

«Pashka e Shenjtë dhe e shumëdëgjuar është dita mbretëreshë e ditëve, dhe nata e ndritshme dëbon errësirën e mëkatit» (Shën Grigor Teologu)

«Le të falënderojmë Zotin, sepse Ai na denjësoi që të përshkojmë detin e kreshmës dhe të arrijmë me gëzim në limanin e Ngjalljes së Tij»

(Shën Simeon Teologu i Ri)

Arritëm, me hirin e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht të Ngjallur, në natën e ndritshme të Ngjalljes dhe ditën mbretëreshë të ditëve, në Pashkën e Shenjtë dhe të shumëdëgjuar, sipas shprehjes së shën Grigor Teologut, kësaj shqiponje që fluturon në lartësitë e teologjisë.

Kjo natë e gjithëndritshme dhe e tërëshenjtë, dëbon errësirën e mëkatit dhe të padijes dhe na dhuron dritën hyjnore dhe të paperënduar, e cila buroi dhe lindi nga Varri i tërëshenjtë dhe hyjpritës, dhe ndriçon “mendjen, shpirtin dhe zemrën”, duke u dhuruar të gjithë besimtarëve njohjen e vërtetë të Perëndisë, ngjalljen shpirtërore, gëzimin dhe ngazëllimin shpirtëror, jetën e amshuar dhe përdëllimin e madh.

Shën Joan Damaskinoi, i frymëzuar nga fjalimi i shën Grigor Teologut, psal në odën e tetë të kanunit të Ngjalljes së Krishtit: “Kjo ditë e rëndësishme dhe e shenjtë, e para ditë e javës, mbretëresha e gjithë ditëve, kushtuar Zotit, është e kremtja më e madhe nga gjithë të kremtet dhe panairi më i madh nga gjithë panairet, në të cilën bekojmë Krishtin përjetë”. Dhe në odën e shtatë: “Me të vërtetë e hirshme dhe shumë panigjirike, e tejmbushur nga drita, është kjo natë shpëtimtare -e së Shtunës së Madhe duke zbardhur e Diela- sepse është paralajmëtare e ditës dritëprurëse të Ngjalljes së Zotit, përgjatë së cilës Drita e pakohë e hyjnisë ndriçoi në të gjithë nga varri trupërisht”. Drita e pakohë e hyjnisë është vetë Biri i vetëmlindur i Perëndisë, drita e pafillim dhe e përjetshme, “që ndriçon çdo njeri që vjen në botë” Joani 1:9.

Ngjallja e Zotit është një ngjarje unike. Vetë Zoti i Ngjallur shpalli se Ai është “Ngjallja dhe Jeta” Joani 11:25. Është burimi i jetës, i çdo jete, fizike dhe shpirtërore, dhe prandaj ka edhe fuqinë e Ngjalljes. Vdekja nuk ka vend përpara Kryetarit të jetës. Natyra njerëzore, pra, e cila u bashkua me Fjalën Perëndi, megjithëse vdiq, u ngjall nga natyra hyjnore e Perëndinjeriut dhe mbetet tashmë e në vazhdim, e bashkuar në mënyrë të papërzier, që Zoti Perëndinjeri të jetë për ne burimi i jetës dhe i pavdekësisë.

Ngjallja është ngjarja mbarëbotërore dhe themelore, mbi të cilën mbështetet e ardhmja e përjetshme e njerëzimit.

Shën Pavli, me thellësi teologjike të pakonkurrueshme, thekson: “Sikurse, për shkak të lidhjes dhe bashkimit me Adamin e parëgatuar, të gjithë pasardhësit e tij vdesin, kështu edhe nëpërmjet lidhjes dhe bashkimit me Jisu Krishtin, të gjithë do të ngjallen.” I Korinthianët 15:22.

Ngjallja e Zotit e shfaq Até Kryetar të ri shpirtëror, që transmeton tek pasardhësit e Tij shpirtërorë, në vend të fajit – drejtësimin, në vend të vdekjes – jetën, në vend të ndarjes nga Perëndia – birësimin dhe trashëgiminë e Mbretërisë Qiellore. Varri i zbrazët i Çlirimtarit që u ngjall, buron “ujë të gjallë”, prej të cilit, ai që pi, ripërtërihet dhe shndërrohet moralisht dhe shpirtërisht. Ish i vdekuri për shkak të mëkatit, ngjallet, ashtu si biri plangprishës i penduar, “që ishte i vdekur dhe u ngjall përsëri” Luka 15:24.

Ngjallja e Zotit është burim “jete të përjetshme që s’ka fund” Hebrenjve 7:16. Pllakat e varreve, nën të cilat vendosen trupat e vdekur, me Ngjalljen e Zotit, u thërrmuan. Kur të vijë momenti i Ngjalljes së përbashkët të të gjithëve, të vdekurit do të ngjallen, siç u ngjall Zoti “i parëlinduri prej të vdekurve”  Kolosianëve 1:18.

Atëherë të lumur do të jenë ata, të cilët, që nga jeta e tashme, përpara kësaj ngjalljeje trupore, iu bindën porosive të Shpëtimtarit Jisu Krisht dhe u ngjallën shpirtërisht, dhe u bënë gjymtyrë të qashtër të Kishës së Tij, duke u ushqyer dhe duke u shenjtëruar me Hirin që transmetohet nëpërmjet Mistereve të Kishës. Ja përse Ngjallja e Krishtit përbën gurin themelor të Kishës dhe të ardhmen e përjetshme të njerëzimit, dhe ja përse me një gëzim të veçantë, të gjithë orthodhoksët, për dyzetë ditë të tëra, këmbejnë në mënyrë reciproke, përshëndetjen triumfale.

Krishti u Ngjall – Vërtetë u Ngjall

 

IGNATI

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

 

PASHKA E SHENJTË NGJARJA UNIKE