Qiriu i Pagëzimit-Ruani qiriun e Pagëzimit!
Qirinjtë e përdorur gjatë Pagëzimit të një fëmije në Kishën Orthodhokse janë shumë domethënës dhe kuptimplotë. “Sot ne kemi dalë nga errësira, dhe jemi ndriçuar prej dritës së njohjes së Perëndisë”, – thotë lutja e Patriarkut Sofron. Pagëzimi na hapi sytë e shpirtit të shohim Krishtin, “Dritën e vërtetë që ndriçon çdo njeri që vjen në botë”, ne që dikur endeshim në kërkim të shpëtimit (Jn. 1:9).
Qiriun e Pagëzimit e mbajnë prindërit dhe ia tregojnë fëmijës kur të rritet. Në këtë kohë prindërit mund të shpjegojnë se në Pagëzim fëmija merr dritën e Krishtit, i Cili tha: “Unë jam drita e botës. Ai që do të më ndjekë, nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës”. Drita e Tij ndriçon hapat tanë ndërsa ecim në jetë.
Ajo na tregon se ku jemi si fëmijë të Perëndisë, të dashur prej Tij, nën kujdesin e Tij, të krijuar dhe të çliruar nga Ai. Ajo na kujton se Ai do të ecë me ne në jetë, për të ndriçuar udhën tonë. Ajo na tregon mënyrën e bashkimit me Të, tani dhe në përjetësi. Jisui është drita e vërtetë për ne të Krishterët dhe na drejton në qëllimin tonë.
Në Kishën e hershme qiriu i Pagëzimit mbahej gjithmonë nga personi që pagëzohej. Ai ndizej çdo vit në përvjetorin e pagëzimit dhe në festat e mëdha; sillej në kishë për Liturgjinë e Epifanisë, kur dikush bënte një ripërtëritje të premtimit të Pagëzimit, për të hequr dorë nga i ligu dhe për të pasuar Krishtin. (Epifania ishe dita në të cilën kryheshin shumica e pagëzimeve në Kishën e hershme). Nëse personi ishte i martuar, qiriu i Pagëzimit përdorej në martesë në vend të çdo qiriu tjetër. Si përfundim, ndërsa vdekja afrohej, qiriu i Pagëzimit ndizej sërish, për të shprehur besimin e krishterë, se vdekja nuk na shpie drejt errësirës së varrit, por drejt dritës së pasosur të Krishtit.
ATË ANTHONY M. CONIARIS
FAMILJA ORTHODHOKSE – KISHA E PERËNDISË