Të bëhemi dritë
Ju jeni drita e botës (Matthe 5:14)
Sot të dashurit e mij është dita e tre Mësonjësve të Mëdhenj të Kishës sonë, Shën Vasilit të Madh, Shën Grigor Theollogut, dhe Shën Joan Gojëartit. Nuk do të flasim sot për jetën dhe veprën e tyre, por do t’i hedhim një sy fragmentit të Ungjillit të Shënjtë që është caktuar nga Kisha të lexohet gjatë Liturgjisë Hyjnore të së kremtes së sotshme.
Është një fragment nga predikimi i Krishtit mbi mal. Iu thotë pra Zoti atje nxënësve të tij – jo vetëm të dymbëdhjetëve por edhe gjithë besimtarëve të tjerë ndër shekuj – “Ju jeni drita e botës” (Matthe 5:14). Flet pra për dritën, e cila është një nga krijesat më të bukura të Perëndisë.
Drita, të dashurit e mij, është dy llojesh, materiale dhe shpirtërore. Drita materiale ka qëndër të vet diellin, këtë trup të mrekullueshëm qiellor. Bëjnë kërkime astronomët, por nuk mund të zbulojnë dot përbërjen e tij në thellësi. Me çfarë ngroh dielli? Djeg dru, apo benzinë apo petroleum, apo duke përdorur energji bërthamore? E panjohur deri më sot. Duket si një top, si ato topat me të cilat luajnë fëmijët, por në realitet, specialistët thonë që është njëmijë e treqind herë më i madh se rruzulli tokësor, dhe temperatura e tij arrin deri në mijëra gradë. Drita e tij arrin deri tek ne duke përshkuar distanca marramendëse të cilat janë matur dhe ujdisur me saktësi. Nëse do të afrohej dielli pakëz më afër toka do të bëhej shkrumb e hi. Dhe nga ana tjetër nëse do të largohej fare pakëz atëherë toka do të katandiste në një masë të madhe akulli. Dielli pra mbahet në një pozicion të rregullt në hapësirë. Dhe çka është më e veçantë, – e thotë dhe Zoti në Ungjill – jep dritën e tij falas dhe për të gjithë pa dallim! (Matthe 5:45). Dhe ne mosmirënjohësit nuk i themi Perëndisë as edhe një faleminderit. Për këtë arësye në Kishë, përpara se të fillojë Liturgjia Hyjnore psallet Dhoksologjia. Çfarë themi në Dhoksologji? “Lavdi Ty që n’a rrëfeve dritën” lavdi pra ty o Zot që krijove dritën. Nëse dëshiron Perëndia dhe shuhet dielli atëherë mjerr ne! Nuk përjashtohet mundësia që t’a bëjë edhe këtë gjë. Sa të lehtë e kini ju të fikni dritën në shtëpi po me aq lehtësi mundet Ai të fikë diellin. Dhe dikur vërtet e shojti dritën e diellit. Kur? Gjatë orëve të Kryqëzimit të Premten e Madhe, atëherë pra “që nga ora e gjashtë u bë një errësirë mbi gjithë dhenë deri në orën e nëntë” (Matthe 27:45). Dielli pra e jep energjinë e tij falas ndërsa kompanitë tona elektrike nëse dikush nuk ka të holla të paguajë faturën ia ndërpresin dritën. A e imagjinoni se sa do të duhej të paguanim nëse n’a kërkohej të paguanim diellin?
Por përveç dritës materiale është dhe lloj tjetër që thamë më sipër, drita shpirtërore. Dhe drita shpirëtrore është vetë Zoti ynë Jisu Krisht. “Unë jam drita e botës”, tha vetë Zoti (Joan 8:12). Dritë pra është Krishti, diell shpirtëror. Ditën e Krishtlindjeve psallëm “magët prej yllit mësoheshin Ty të të falen Diellit të drejtësisë” (Apolitiki i Krishtlindjeve). Por ka një dallim në këtë pikë, dielli material, ashtu siç thonë dhe shkencëtarët specialistë, një ditë do të shuhet pasi të japë shkëlqimin e tij të fundit, ndërsa Krishti nuk do të shuhet kurrë, drita e Krishtit është e pavdekur.
v Krishti është drita e botës me mësimet e tij. Mësimet e tij janë të pamposhtura. Mësimet dhe filosofitë e Platonit, Aristotetlit, apo të tjerëve si ta nuk janë veçse xixëllonja përpara dritës që përhap mësimi i Krishtit. “Qielli dhe dheu do të shkojnë por fjalët e mia kurrë nuk do të shkojnë” (Matthe 24:35). Më erdhi në Mitropoli një i ri modern dhe më kërkonte lejë martese. I thashë “Me bindjet e tua që ke më mirë të shkosh të kryesh martesë politike (në gjendjen civile), dhe kështu do të kesh mundësi të marrësh sa gra të duash.
-Eh tani, më thotë, -gjërat sot kanë ndryshuar dhe vazhdojnë të ndryshojnë.
-Çfarë the? Por ka disa gjëra të cilat nuk ndryshojnë kurrë.
Dielli p.sh, nuk ndryshon; do të ndriçojë me rrezet e tij deri në mbarim të shekujve. Po kështu dhe besimi ynë Orthodhoks do të vazhdojë të ndriçojë me dritën e diellit Krisht “gjithë njerëzit që vijnë në këtë botë” (Lutje e Orës së I).
v -Dritë pra Krishti me mësimin e tij, por dritë është Ai edhe me mrekullitë e Tij. Nëse është e mundur të numurojmë yjet e qiellit atëherë do të mund të numurojmë edhe gjithë çuditë dhe mrekullitë që bëri, bën dhe do të bëjë Zoti deri në mbarim të botës. Të gjitha këto vërtetojnë që Ai ishte, është dhe do të jetë Mbret në jetë të jetëve.
v -Por në mënyrë të veçantë Krishti është dritë për ne me jetën e Tij. Dielli ka njolla të zeza, ashtu siç n’a thonë edhe astronomët, por Krishti nuk ka asnjë njollë. Është i vetmi njeri që jetoi në planetin tonë dhe tha “Cili prej jush mund të më shajë për mëkatë?” (Joan 8:46), kush pra mund të më kritikojë për ndonjë mëkatë? Askush. Akoma edhe Judha që e tradhëtoi, e ndjehu mëkatin që bëri dhe tha “Bëra faj që dorëzova gjak të pafajshëm” (Matthe 27:4).
v -Dhe së fundi, pas Ngjitjes në Qiell Krishti vazhdon të jetë diell për ne nëpërmjet Kishës së Tij të Shënjtë e cila ndriçon popujt e botës. “Qiell plot shkëlqime” quhet Kisha (Kondaki i 13 Shtatorit), ndaj dhe në disa prej Kishave do të vini re që janë pikturuar yje në kupola. Qiell shpirtëror pra është Kisha, dhe dritat e saj janë Shënjtorët e saj. E Tërëshënjta Hyjlindëse është hëna e plotë e bukur, yje janë oshënarët dhe martirët, veçanërisht Etërit e Shënjtë, ashtu si të Trë Etërit e Shënjtë që kremtojmë sot të cilët quhen “yje të shkëlqyer të botës mendore”.
Ne të dashurit e mij çfarë jemi vallë? Fjala e Krishtit sigurisht që n’a drejtohet edhe neve, “Ju jeni drita e botës”, n’a thotë. Ndaj duhet që dhe ne të bëhemi dritë.
Por ne nuk jemi as yje, as hënëza, dhe sigurisht që nuk jemi diej. Nuk mundesh pra o vëlla të bëhesh një dritë e madhe? Atëherë bëhu diçka tjetër. Një fjalë e urtë thotë që “në vënd që të hahesh me errësirën ndiz një qiriçkë”. Edhe një qiriçkë është tepër e dobishme. Rrëfehen bëma të mëdha ku një qiriçkë në mes të errësirës së tmerrëshme shpëtoi jetë njerëzish prej përmbytjesh apo gjëndjesh të tjera tragjike. Bëhu pra një qiri edhe ti.
–Dritë në familje me ushqimin shpirtëror. Je babë? Të mos dalin nga goja jote fjalë të këqia, fjalë të turpshme, asnjë vlasfimi. Je nënë? Shën Gojëarti thotë “nuk do të të quaj nënë sepse linde, sepse edhe kafshët dhe përbindëshat lindin – ky është një fenomen natyror të cilin e themeloi me ligj Perëndia. Nuk të bën nënë pra lindja por ushqimi shpirtëror që iu jep fëmijëve. Kështu pra ju prindër do të bëheni dritë që ndriçon në shtëpi.
–Dritë të bëheni në shkollë, me edukimin që jepni. Je mësues, je profesor? Përtej mëndjes dhe njohurive kultivoni zemrën e nxënësve dhe idealet e larta. Sot ndodheni përballë një klime tjetër, tepër të ashpër. Shumë të pakët janë mësuesit që shkojnë rregullisht në Kishë sot. Ku janë ato vite të kaluara, vite të paharruara kur ditë si kjo e sotshmja festoheshin me madhështi të patreguar? Sot, nëse festa bie e Shtunë ose e Dielë, kërkojnë të Premten pushim. Njerëz profanë sot kanë autoritet të ndërrojnë ditën e të kremteve të Kishës. Megjithatë ju përpiquni dhe Zoti ju qoftë ndihmë.
-Dritë pra të bëhet mësuesi apo profesori, por dritë të bëhet edhe nxënësi apo studenti me shëmbullin e tij. Një fëmijë apo një i rritur që beson tek Krishti sot – qoftë nxënës gjimnazi apo student fakulteti – është dritë në botë. Në Francë qarkulloi një libër – me titull “Drita e malit” i cili tregon për jetën e një nxënësi që besonte tek Krishti, ndërsa mësuesit e tij dhe nxënësit e tjerë nuk besonin por përkundrazi e tallnin dhe përqeshnin – ashtu si edhe këtu tek ne, nëse ndonjë nga nxënësit guxon dhe rrëfen se beson në Krishti i ngjitin llagapin “prifti” – por ky nxënësi i librit arriti që me qëndrimin e tij të shkëlqyer t’i kthejë të gjithë në rrugën e tij. E pra, a e shihni se ç’mund të bëjë një fëmijë?
–Dritë edhe në ushtëri me ushtrimin fizik dhe arësimimin tuaj. Je ushtar i thjeshtë apo oficer? Të mos lejoni (ashtu si Plastira në Azinë e Vogël, apo Kolokotroni) asnjë nga ushtarët të vlasfimisë.
Dritë ishte të dashurit e mij atdheu ynë, dhe dritë duhet të mbetet përgjithmonë. Të jetë gjithmonë vend i Dritës së Paperënduar, e cila të reflektohet në gjithë botën. Dhe sot që kremtojmë ditën e Tre Ierarkëve, le të urojmë që të gjithë ne të marrim një rreze nga Drita e Paperënduar që quhet Jisu Krishti, Jisu Nazareasi të cilin bekoheni dhe përmbilartësoheni në jetë të jetëve. Amin.
+Episkopi Avgustin
Përktheu nga Greqishtja
Aleksander P. Filip
30 Janar, 2009
Me dashuri dhe respekt të thellë ia përkushtoj autorit…
Paçim uratat dhe bekimet e tua Hirësi…
Nga botimet mujore “E DIELA-ΚΥΡΙΑΚΗ”
“U rrëmbeva nga Shpirti ditën e Diel dhe dëgjova përpara meje një zë të madh si zë trumbete” (Apokalipsi 1:10)
Predikim gojor i mbajtur nga Mitropoliti Avgustin
në Kishën e Shën Pandelimonit në Follorinë
Më 30 Janar 1994
Të bëhemi dritë