Të flasësh për demonët, ferrin dhe vdekjen
Është gabim i rëndë pedagogjik t’u flasim shumë hapur fëmijëve të vegjël për demonët, sepse fëmija sapo dëgjon se si janë demonët, fillon dhe i përfytyron ata. Të rriturit mund të ndërgjegjësohen për rrezikun e mbetjes së imazhit të demonëve në mendjen e tyre, por fëmijëve të vegjël nuk do t’u vlente një paralajmërim i tillë dhe ata mund të pësojnë një dëm të rëndë shpirtëror ose më e pakta është vuajtja nga pagjumësia. Kur fëmijët e vegjël pyesin për djallin apo për të vërtetën e frymërave të liga, më e mira është t’i shmangemi pyetjes duke thënë diçka që nuk do t’i bëjë ata të mendojnë dhe imagjinojnë shumë. Në përgjithësi, ne duhet ta drejtojmë mendjen e fëmijëve te Krishti, shenjtorët dhe engjëjt.
Është më mirë t’i mësosh fëmijët e vegjël për luftën e krishterë shpirtërore në lutje pa iu referuar direkt luftës me demonët. Ata shumë natyrshëm mund të mësojnë të bëjnë shenjën e kryqit para se të flenë, si një bekim për natën, të përdorin lutjen e Jisuit, apo t’i flasin Zotit dhe shenjtorëve me fjalët e tyre sa herë që të dëshirojnë. Më pas nëse tundohen (p.sh. nga frika apo makthet), ata natyr-shëm do të përdorin “armët” e duhura. Fëmijët mund të flenë me një komboskin në dorë apo nën jastëk – dhe mund të përfshijnë lutjen e Jisuit në lutjet e tyre.
Fëmijët frikësohen nga ideja e ferrit. Edhe ne frikësohemi, por frika jonë ruhet brenda caqeve të njohura dhe mbështetet në dashurinë tonë për Perëndinë dhe në frikën që kemi nga përjashtimi prej shoqërisë së Tij. Ajo që duhet të nxisim te fëmijët nuk është frika nga ferri, por dashuria për Perëndinë. Fëmijët mund të mendojnë seriozisht për çështjen metafizike të së keqes dhe atë të dashurisë së Perëndisë. Kur u flasim të tjerëve për ferrin (sigurisht jo fëmijëve të vegjël) duhet të theksojmë që ferri nuk është vendi ku Perëndia dëshiron të dërgojë njerëzit e ligj: ferri është një dhimbje e vetëshkaktuar që rrjedh nga mospranimi i dashu-risë së Perëndisë. Ferri është vegim i dritës së Perëndisë që djeg ata që nuk janë bërë të ngjashëm me Atë. Ndryshe mund të themi se nëse dikush është i sëmurë dhe nuk pranon ilaçet e mjekut, nuk është faji i mjekut që ai nuk shërohet. Prapëseprapë nuk ka përgjigje të gatshme – këto janë shembuj. Ka shumë raste që të rriturit e kanë mohuar krishterimin për shkak se kjo ishte mënyra më e mirë për t’u çliruar nga frika kufizuese e ferrit me të cilën ata u rritën. Madje edhe kur të flasim për veprat e këqija ose për njerëzit që i kanë kryer ato, duhet të sigurohemi që fëmija ka besim te gatishmëria e Krishtit për t’i falur.
Kur fëmijët flasin për parajsën, shpesh ata kanë në mendje ato gjëra që do të shohin atje. Duhet të kemi kujdes të mos shkatërrojmë përfytyrimin e tyre për parajsën. Kush mund të imagjinojë të shkojë në një vend ku nuk ka as ushqim, ose ku nuk luhen lojëra apo ku nuk ka kafshë shtëpiake? Ne duhet të japim përshtypjen që parajsa është më e mirë se çdo gjë që mund të imagjinojmë. Dhe përgjigjja ishte: Bibla na mëson se do të ketë ushqim qiellor, qeshje qiellore e kështu me radhë. Për sa i përket çështjes nëse kafshët do të kenë vend në parajsë, nuk duhet t’u shpjegojmë teologjikisht fëmijëve të vegjël se si shpirti i kafshës ndryshon nga shpirti njerëzor; në vend të kësaj ne themi mënyrën se si kujdeset Perëndia për çdo zog të vogël (Mtth. 10:29). Asnjëherë nuk duhet të zhdukim idenë e fëmijës dhe të mos e zëvendësojmë atë me diçka më të pjekur e cila është brenda mundësive të tij për ta kuptuar. Ka një tregim ndër thëniet e Etërve të Shkretëtirës që flet për një murg që ishte antropomorfist (dikush që interpreton në mënyrë literale shprehjet biblike për duart, sytë, këmbët e Perëndisë etj). Ky u korrigjua nga murgj të tjerë orthodhoksë. Po korrigjimi kishte qenë jo i plotë.
Një tjetër murg e vizitoi atë dhe si e gjeti duke qarë e pyeti: “Atë, përse po qan? Nuk je i gëzuar që u ktheve te besimi i vërtetë?” Murgu u përgjigj: “Po qaj se ma morën Perëndinë që kisha dhe nuk di më kë të adhuroj”.
Pyetjeve për ferrin dhe parajsën, të keqen dhe të mirën, demonët, vdekjen, vetëvrasjen e kështu me radhë, do t’u rijepen përgjigje disa herë gjatë viteve të fëmijërisë. Ashtu si me pyetjet për lindjen e fëmijëve, fëmijët kanë nevojë të marrin përgjigje në stade të ndryshme sipas zhvillimit të tyre. Për shembull, dikush nuk i përgjigjet një pesëvjeçari njësoj si do t’i përgjigjej një dhjetëvjeçari.
EDUKIMI FETAR I FËMIJËVE
Motra Magdalen
KISHA ORTODOKSE AUTOQEFALE E SHQIPËRISË