Treshja e paqes
Lindja e Shpëtimtarit Krisht
Predikim gojor i mbajtur nga Mitropoliti At Avgustini
në Kishën e Shën Pandelimonit në Follorinë më 25 Dhjetor, 1979
Gjatë asaj nate të paharruar, të dashur vëllezër, kur barinjtë ruanin dhentë e tyre në një pllajë të Vithlehemit, u dëgjua një marshim i mrekullueshëm. Shumicë ëngjëjsh, ushtri të tëra ëngjëjsh, ngjiteshin dhe zbrisnin në kupën qiellore duke psallur “Lavdi Perëndisë më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje” (Lluk.2:14). Në filologjinë botërore nuk ekziston asnjë himn tjetër i cili me pak fjalë të shprehë kuptime kaq të larta dhe të mëdha. Është një himn qiellor, kryevepër hyjnore, dhoksologji (lavdi) festive. Është pëmbledhja e gjithë veprës të cilën erdhi të kryejë Zoti ynë Jisu Krisht. Është gjithashtu një profeci shpresë-dhënëse për të ardhmen e njerëzimit. Herë tjetër kemi bërë fjalë për “Lavdi Perëndisë më të lartat” dhe për “mbi njerëzit mirëdashje”. Le t’i hedhim një sy tani “dhe mbi dhenë paqe”.
***
Kur u lind Krishti, të dashurit e mij, sipas providencës hyjnore bota gjendej nën skeptrin e perandorisë Romake, në fron ishte Augusti. Për herë të parë mbizotëronte paqe në mbarë botën. Nëse në një provincë apo krahinë të perandorisë ndonjë nga popujt ngrinte krye, menjëherë kryngritja shtypej nga Roma. Mbizotëronte pra një paqe të cilën historianët në latinisht e quajnë “paks romana” (πάξρομάνα), “paqia romake”. Edhe në epokën tonë pamë përpjekje – sigurisht pa rezultat – me synim paqen botërore, të cilën disa e quajtën “paks amerikana” (pax amerikana) paqia amerikane, dhe të tjerë e quajtën “paks rossika” paqia ruse. Por në atë kohë Augusti vërtet që ia doli mbanë dhe vuri nën sundim gjithë botën e njohur deri në atë kohë.
Pavarësisht nga kjo, popujt nuk ishin të lumtur. Nën çizmen romake gjithë bota rënkonte. Magjistarët e Delfit dhe të Romës, koinçidonin me profecitë e Israelit për një parashikim, që Dikush do të vijë. Ky Dikush ishte “shpresa e gjithë kombeve”. Ky Dikush ishte ai që e prisnin të gjithë popujt (Gjen.49:10). Me një forcë të pamposhtur Ai do të shkatërronte të gjitha rregjimet e dhunës dhe do të themelonte mbretërinë e Tij, shoqërinë ideale, mbretërinë e qiejve e cila “nuk do të ketë mbarim” (Lluk.1:33). Do të vijë Ai!…
Për t’u çuditur është fakti që këtë shpresë e kishin edhe popuj të vjetër të cilët nuk njiheshin nga bota e atëhershme. Kur Kristofor Kolomboja arriti në Amerikë, vendasit, të cilët nuk kishin asnjë lloj komunikimi me Evropianët dhe popujt e tjerë, pyetja e parë që i bënë ishte “Erdhi? Erdhi?”. Deri atje pra ekzistonte kjo shpresë e të gjithë kombeve.
Dhe Ai erdhi! Është e vërtetë që ngjarja më e madhe botërore në planetin tonë është ardhja e Krishtit. Erdhi Ai, “shpresa e të gjithë kombeve”. Ky është Ai për të cilin pyesnin fiset vendase të Amerikës. Ky është Ai për të cilin shpresonte Roma, Ai të cilin e priste Lindja, Ai të cilin e prisnin astronomët e Persisë dhe filozofët e Greqisë së lashtë. Erdhi! Kjo nuk është një gënjeshtër por e vërteta botërore.
Si erdhi? Nuk erdhi si një sundimtar i egër, nuk erdhi si një monark kryelartë i armatosur me ushtri të hekurta. Por erdhi i paarmatosur, i varfër, i butë. Erdhi si një njeri i thjeshtë, si Foshnjë Hyjnore, dhe u lind në kushte tepër të përulëta, në një shpellë të Vithleemit.
***
Përse erdhi? Erdhi për të sjellë paqe në botë, ashtu siç psallnin ushtëritë e ëngjëjve “dhe mbi dhenë paqe”…
Për çfarë lloj paqeje bëhet fjalë? Paqia e Krishtit tonë nuk është e njëjtë me paqen e botës. Paqia e Krishtit është shumë më e lartë dhe shumë më e thellë se paqja e botës. Është një paqe e trefishtë: së pari është paqja me Perëndinë, së dyti paqe më të afërmin, dhe së treti paqe me vehten tonë. Le t’i hedhim një sy këtij trekëndëshi.
Pikë së pari, paqe me Perëndinë. Do të sjell një shembull. Kur ishim fëmijë dhe bënim ndonjë prapësi, në mbrëmje mezi vinim në shtëpi, sepse kishim frikë nga babai. Vetëm kur n’a thërriste ai dhe me shënjën që n’a bënte kuptonim që n’a kishte falur, rendnim tek ai, n’a përqafonte dhe n’a puthte dhe kështu marrëdhënia e atit dhe fëmijëve rivendosej përsëri. Diçka e ngjashme ndodhi edhe me Perëndinë. Njeriu bëri prapësi, mëkatoi, shkeli porosinë e Tij. Dhe që atëherë – është një fenomen psiqik apo shpirtëror në mbarë botën – për shekuj të tërë n’a ndjek pas dhe nuk n’a shqitet ndjenja e fajit. Është ajo që në tragjeditë e lashta klassike paraqitet me anën e hyjnive tokësore të cilat ndiqnin nga pas gjithë ata që kishin kryer krime, është ajo që psikologët e sotshëm e karakterizojnë si ankth apo agoni shpirtërore, është ajo që bëri të shtohen dhe shuhomen klinikat dhe spitalet nevrologjike. Çfarë është ankthi apo agonia? Duke marrë për bazë analizat më të fundit, është një ndjenjë që krijon një mur të lartë dhe një digë midis Perëndisë dhe njeriut. Por Apostoll Pavli thekson “ndërsa ishim armiq u paqtuam me Perëndinë me anë të vdekjes së Birit të Tij, shumë më tepër pasi u paqtuam do të shpëtojmë me anë të jetës s’atij” (Let.Pav.Rom. 5:10). Ishim armiq dhe u pajtuam me Perëndinë, thotë Shën Pavli. Ajo humnera që ndante qiellin nga toka u zhduk, dhe në vend të saj vendosi një urë Zoti ynë Jisu Krisht. Kjo nuk është gënjeshtër, sepse faji falet, mëkatit i bie fuqia, dhe në thellësi të shpirtit të tij njeriu dëgjon zërin e Atit qiellor – Perëndia e pranon të kthehet pranë tij.
Së dyti, paqja me të afërmin. Mëkati prishi jo vetëm marrëdhënien e njeriut me Perëndinë por edhe me të afërmin e tij. Që nga momenti kur Kaini vrau Abelin dhe dheu i tokës së virgjër u lye me gjak, dashuria iku dhe u largua dhe urrejtja e pafundme mbizotëroi kudo. Rezultat i urrejtjes janë luftrat, shqyerjet civile, në shkallë lokale apo botërore. Urrejta është si mjegulla. Në mjegull nuk mund t’a dallosh dot njeriun që ke përballë. Ka patur raste që në mjegull ushtarët vranë njëri-tjetrin dhe vëllai vrau vëllanë. Kështu është edhe urrejtja. Por kur erdhi Jisu Krishti, “dielli i drejtësisë”, mjegulla u shpërnda, urrejtja u largua dhe Krishti solli dashuri në botë.
Paqe me Perëndinë, paqe me të afërmin, dhe së fundi paqe me vehten tonë. E çuditëshme tingëllon kjo e treta, por është reale. Mëkati çau më dysh edhe personalitetin e njeriut. Nuk jemi një vetëm – nuk është e vërtetë një gjë e tillë – jemi dyfish. Akoma edhe Platoni e vrojtoi një gjë të tillë. Brenda nesh luftojnë dy forca, drita me errësirën, e vërteta me gënjeshtrën, ëngjëlli me djallin. Cili Eskil, apo Euripidh apo Shekspir do të mund t’a përshkrujë ashtu siç duhet këtë luftë? Zemra e njeriut është fusha e betejës më të fuqishme në botë. Një forcë kërkon të n’a shtyjë lart drejt yjeve të qiellit dhe në botën shpirtërore. Ndërsa forca tjetër kundërshtare kërkon të n’a zhytë si sferë plumbi në errësirën e pafund. Dhe njeriu ngjet me një shqiponjë të cilës i prenë krahët. Këtu në këtë pikë ndodh drama më e madhe. Luftë dhe përpjekje nga momenti që lind deri në vdekje. Por kur e ulëta i nënshtrohet të lartës, mishi pra i nënshtrohet shpirtit, atëherë korret fitorja më e madhe, fitorja më e lavdishme. Ashtu siç thoshin edhe të lashtët, fitorja më e madhe është “mundja e vehtes”. Sepse aq shumë sa mund të n’a dëmtojë vehtja jonë, askush tjetër nuk mund të n’a dëmtojë – as demoni akoma nuk mund të n’a dëmtojë aq sa vehtja jonë.
Paqe pra me Perëndinë, paqe me të afërmin, paqe edhe me vehten tonë, paqe brenda vehtes tonë e cila arrihet nëpërmjet paqes me ndërgjegjen tonë. O paqe! O emër i ëmbël – gjëja më e ëmbël në botë, ku je? Ku gjendesh? Mos ndoshta banon në pallatet mbretërore, apo akademitë dhe shkollat e filozofisë? Jo, atje nuk ka paqe. Atëhere ku? Në shpellën e Vithleemit! Pëllumbi i paqes prehet në zemrat e besimtarëve të përulur, në zemrat e barinjve dhe të magëve, në zemrat e atyre që mbajnë porositë e Zotit. “Shumë paqtim kanë ata që duan nomin tënd” (Psallm 118:165).
***
“Dhe mbi dhenë paqe”!
Ah, do të thoni, për teori shumë të bukura po n’a flet, por realiteti është krejt ndryshe. Paqja është larguar tutje. Ndërkohë që kambanat e Kishave lajmërojnë mesazhin qiellor kudo në botë ekzistojnë antagonizma, rreziqe për përleshje botërore e cila do të jetë “Armagjedoni” (Apokalipsi 16:16).
Të dëshpërohemi atëhere? Të pushtohemi nga melankolia?! Jo, vëllezër të dashur. Të kemi shpresë tek Krishti. Ylli i Vithleemit n’a fal shpresë. Kemi besim të patundur tek Krishti, i cili është boshti dhe qëndra përreth të cilit vërtitet historia botërore, ai është Alfa dhe Omega (Apokalispi 1:8, 22:13). Do të lindin ditë të paqes shpirtërore në mbarë botën; do të bëhen realitet fjalët e profetit Isaia i cili n’a thotë që “armët e dhunës dhe të luftrave do të kthehen në mjete kultivuese dhe ujku do të kullosë me shqerrat” (Isaia 2:4, 11:6). Luftërat do të pushojnë pasi njerëzit të gdhihen me Krishtin dhe të bashkëjetojnë në paqe brenda Kishës. Misteri i madh do të plotësohet dhe do të bëhen “një tufë dhe një bari” (Ioan 10:16). Dhe atëherë do të ushtojë marshi i përjetëshëm “Lavdi Perëndisë më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje”.
† Episkop Avgustini
Përktheu nga Greqishtja,
me përulësi
Aleksandër P. Filip
Ia përkushtoj me dashuri të thellë zemre dhe mirënjohje shpirtërore Gjerondit të nderuar, luftëtarit të paeupur dhe shëmbëlltor të Orthodhoksisë, ierarhut të ndriçuar të Kishës së Shënjtë të Krishtit, predikuesit të flaktë dhe të palodhur të fjalës së Zotit, Mitropolitit të Follorinës, Prespës dhe Ordheas at AVGUSTIN KANTIOTIT.
Paçim uratat dhe bekimet tuaja Hirësi!