Vlera e një ore katekizmi
Si e gjykojmë ne vlerën e një ore katekizmi? Është shumë më tepër e rëndësishme që fëmijët të lënë klasën të frymëzuar dhe të duan më shumë Perëndinë sesa të plotësohet programi i mësuesit. Ka raste që fëmijët kanë një temë që i shqetëson në mendjen e tyre dhe mund të ishte shpirtërisht më dobiprurëse të flisnim rreth kësaj teme me ta. Ka raste që ndërhyrjet dhe komentet e tyre na japin të dhëna për shqetësimet dhe gjendjet reale të fëmijëve. Testi i vërtetë i katekizmit nuk është sa shumë fakte kanë mësuar fëmijët, por fakti nëse krijohet tek ata një bindje më e përzemërt se rruga e Kishës është rruga e jetës së vërtetë. Emrat dhe faktet duhen menduar si varëse mbi të cilat mund të varim këtë frymëzim.
Njerëzve u pëlqen të dëgjojnë kur mësuesit tregojnë për pyetjet dhe përgjigjet e fëmijëve rreth Perëndisë. Në të vërtetë, fëmijët thonë shumë gjëra argëtuese dhe prekëse. Biseda me fëmijët nuk është një çështje për të mbledhur thënie të bukura. Mësuesi mund të ketë folur për orë të tëra për televizorin, shkollën, ushqimin ose lojërat, madje para se të kenë përmendur Perëndinë.
Mësuesit më të vlefshëm janë ata që kanë marrëdhënie të mira me fëmijët. Fëmijët shpesh do të marrin përgjigje kategorike nga një i rritur, dashurinë e të cilit e ndiejnë dhe opinionin e të cilit e besojnë. “Asgjë nuk e çon përpara mësimdhënien më shumë sesa kjo: ‘të duash dhe të ndihesh i dashur’” (Shën Joan Gojarti).
Fëmijët rreth moshës 7 vjeç mund të fillojnë të mendojnë seriozisht për çështje metafizike të tilla si “Kush e krijoi Perëndinë?” dhe të përpiqen të kuptojnë të qenit të përjetshëm.