Zonja Hyjlindëse
Të nderojmë gjithë shenjtorët e Kishës sonë por më tepër të nderojmë Zonjën tonë Hyjlindësen Mari sepse të gjithë shenjtorët janë shërbëtorë të Krishtit ndërsa Zonja Hyjlindëse është Zonja dhe Mbretëresha e qiellit dhe e dheut dhe e gjithë krijesës shpirtërore e materiale, që ndërmjeton për ne. Ta nderojmë Zonjën tonë Hyjlindëse me kreshmë, lutje, mëshira dhe vepra të mira.
Një njeri, me emrin Joan, u bë hajdut, u bë edhe kapedan i njëqind trimave por kishte nderim të madh për Zonjën Hyjlindëse dhe çdo agim dhe çdo mbrëmje lexonte përshëndetjet e të Tërëshenjtës. “Engjëlli Kryetar”. Perëndia e tërëmirë, duke dashur të shpëtojë kapedanin, për shkak të nderimit që kishte për Hyjlindësen, dërgoi një asket të shenjtë të kalojë nga ai mal. Trimat e kapedanit si panë asketin e kapën. Asketi u thotë: Ju lutem më çoni tek kapedani juaj dhe aty kam për t’ju thënë një fjalë për të mirën tuaj. E çuan asketin, i cili i tha kapedanit: Thirr gjithë trimat e tu të vijnë këtu, që t’ju them një fjalë. I thirri kapedani dha ata erdhën. Asketi thotë: Nuk ke tjetër? Kam edhe një guzhinier, – përgjigjet kapedani, por ai është i pacipë. Atëherë asketi i thotë kapedanit: Thirre të vijë këtu. E thirri dhe si erdhi kuzhinieri, nuk mund ta shikonte dot asketin në fytyrë dhe ktheu kokën nga ana tjetër. Atëherë asketi i thotë: Në emër të Zotit tonë Jisu Krisht, të kryqëzuarit dhe të Perëndisë, të urdhëroj të më thuash kush je, kush të dërgoi dhe çfarë bëje këtu. Kuzhinieri u përgjigj: Unë jam gënjeshar dhe gjithmon them gënjeshtra por tani ngaqë më lidhe në emër të Krishtit nuk mund të bëj ndryshe veçse të them të vërtetën. Unë pra, jam djalli dhe më dërgoi Satanai, ati im dhe erdha këtu që të punoj, të shtroj dhe të ngre, t’i gatuaj këtij kapedani dhe ta ruaj që ta gjej ndonjëherë që të mos lexojë Përshëndetjet e të Tërëshënjtes, që ta vë në terrin e ferrit dhe kam katërmbëdhjetë vjet që po e ruaj dhe nuk e gjeta ndonjë ditë pa lexuar “Engjëlli Kryetar”. Atëherë asketi thotë: Të urdhëroj në emër të Shën Triadhës, të zhdukesh që këtu dhe të mos i ngash më të Krishterët. Menjëherë djalli u zhduk porsi tym. Atëherë asketi i mësoi hajdutët dhe disa u bënë murgjër, të tjerët u martuan dhe bënë të mira dhe shpëtuan nga i ligu.
Prandaj bijtë e mi ju këshilloj të mësoni të gjithë “Engjëlli Kryetar” burra dhe gra, djem dhe vajza, dhe ta thoni në lutjet tuaja.
Përgatitur nga A. Marini