Mësoni të jeni bamirës!
Megjithëse virgjëria,kreshma dhe e fjetura në tokë kanë më tepër mund se bamirësia,asgjë nuk është më e fortë se ajo në fikjen e zjarrit të mëkateve.Është më e lartë se të gjitha sepse virgjëria,kreshma dhe e fjetura përtokë ndalojnë tek ai që i ushtron dhe nuk shpëtojnë asnjë tjetër.Ndërsa bamirësia shtrihet tek të gjithë dhe përqafon pjesëtarët e Krishtit.
Mirësitë që përhapen tek të gjithë janë më të mëdha se ato që ndalojnë rreth dikujt.
Bamirësia është nëna e dashurisë,e asaj dashurie që karakterizon krishtërimin,e cila është më e madhe se gjithë mrekullitë nëpërmjet të cilave duken nxënësit e Krishtit.Bamirësia është ilaç për mëkatet tona,sapun për papastërtinë e shpirtit tonë,shkallë e mbështetur në qiell.Ajo lidhet me trupin e Krishtit.
Doni të mësoni sa mirësi e madhe është ajo?
Në kohën e Apostujve të gjithë shisnin ç’kishin dhe sillnin fitimin tek ata (Apostujt) dhe gjithshka ndahej.
Të gjithë kishin një zemër dhe një shpirt dhe Hiri i Perëndisë ishte mbi të gjithë ata dhe jetonin me shumë mirësi.
Kjo sigurisht do të thotë të përbuzësh paratë,do të thotë të mbash vërtet brenda vetes Krishtin.Por gjitha këto të bëhen pa egoizëm!
Prandaj e admirojmë Abrahamin,jo vetëm se flijoi dashin dhe gatoi bukën por sepse me shumë dashuri dhe përulësi pranoi të huajt duke i shërbyer dhe duke i quajtur zotërinj sepse mendonte se gjente thesar mirësish kur shikonte se afrohej një i huaj.
Kështu bëhet bamirësi e dyfishtë kur ato që japim dhe ofrojmë i japim me zemër.
Sepse edhe nëse ofron pafund por me krenari dhe egoizëm,i ke humbur të gjitha ashtu si fariseu që ofroi një të dhjetën nga pasuria e tij por humbi gjithshka nga egoizmi dhe krenaria përpara të tjerëve.
Shën Joan Gojarti
Përkthyer nga N. Ikonomi