/ Fjalë të Urta nga Shenjtorë dhe Etër / Shpresa te Perëndia

Shpresa te Perëndia

Shpresa te  Perëndia

 

Të gjithë ata që kanë një shpresë të palëkundëshme tek Perëndia, afrohen pranë Tij dhe ndriçohen nga shkëlqimi i dritës së përjetshme.

Njeriu, i cili për hir të Perëndisë nuk përkujdeset për veten e tij, ka shpresë të vërtetë. Ai beson se për të përkujdeset Perëndia.

Por në qoftë se e vendos shpresën e tij në punët e veta dhe vetëm kur haset në vështirësi të pa parashikueshme kërkon të gjejë strehë tek Perëndia, atëherë një shpresë e tillë është e kotë dhe e gënjeshtër. Ai që ka shpresën e vërtetë kërkon vetëm Mbertërinë e Perëndisë. Për sa i përket të mirave të nevojshme për jetën e përkohëshme, është e sigurt se do t’i jepen. Në qoftë se në zemër nuk ka një shpresë të tillë atëherë është e pamundur të ketë paqe. Shpresa është ajo që i jep paqe dhe gëzim zemrës. Për këtë shprese tha Zoti: “Ejani tek Unë o ju gjithë të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap shlodhje”. D.m.th. shpresoni tek Unë dhe Unë do t’ju lehtësoj nga mundimet dhe frikësimet tuaja. Në Ungjillin sipas Llukait flitet për Shën Simeon Hyjepritësin “Dhe në mënyrë Hyjnore atij i qe zbuluar nga Shpirti i Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin Shpëtimtar”. Dhe Simeoni i drejtë e mbajti shpresën e tij deri në çastin e shumëpritur, gjatë së cilit priti me gëzim Shpëtimtarin në duart e tij duke thënë: “Tani përlëshoje o Zot  shërbëtorin tënd në paqe se sytë e mi panë shpëtimin tënd”.

 

Fragment nga libri SHEN SERAFlMI I SAROV

Botuar nga «KOSHERJA ORTODOKSË»

Shpresa te  Perëndia