Martire Agathia
Për arsye të sojit të saj prej arkondi, pasurisë, bukurisë dhe karakterit shkëlqente në atdheun e saj, në Katania të Sicilisë.
Pas vdekjes, siç duket, të prindërve të saj idhujtarë, kur ishte 15 vjeçe, u arrestua në kohë të Decios (249-251), nga sundimtari i shthurur, që vinte nga një fis jo shumë i njohur në Sicili. Ai kishte si qëllim ta shkëpuste nga Krishti e ta merrte për grua dhe kështu të shijonte gjithë të mirat e saj.
Përpjekjet e tij për ta bërë për vete, duke i bërë shumë lajka e premtime dështuan. Vajza e kundërshtoi, prandaj e dorëzoi tek një grua e përdalë. Për një muaj rresht e torturonte ose e joshte, por nuk arriti ta thyente rezistencën e saj.
Atëherë sundimtari urdhëroi dhe e mbyllën në burg, ku e reja shkoi me dëshirë. Ditën tjetër e varën, e digjnin dhe e kamxhikonin pa mëshirë. Pastaj i prenë gjinjtë, por në mesnatë në burg erdhi brenda një ndriçim i mbinatyrshëm, apostulli Petro (29 qershor) dhe e shëroi.
Të nesërmen, meqenëse martirja vazhdonte të mos pranonte t’u sakrifikonte perëndive, e tërhoqën zvarrë mbi copa tullash të mprehta dhe gjemba hekuri dhe më pas e hodhën në zjarr. Kur po lutej, një tërmet shkatërrues frikësoi bashkëqytetarët e saj, të cilët mësynë në ndërtesën qeveritare dhe këmbëngulën që të ndalojnë torturat! E çuan përsëri në burg, ku duke u lutur dorëzoi vërtet frymën.
E varrosi populli dhe engjëlli vendosi pllakën e varrit, ndërsa kuaj të tërbuar i shkaktuan tiranit vdekje të tmerrshme…
Një vit më vonë vullkani i Etnës, që ndodhet shumë afër Katanias, shpërtheu dhe lumi i zjarrtë mbërriti në qytet (251). Njerëzit vrapuan, morën mbulesën e varrit të shenjtores, bënë litani dhe llava ndaloi!
Romano-katolikët e nderojnë si mbrojtëse të Sicilisë dhe Maltës.
Agathi, greqisht = e mirë.
Nga parajsa
e shenjtorëve II
Botim i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Tiranë, 2007