Nga jeta e Shën Serafimit
Përmbajtja në të ngrënë
Shenjtori e kalonte jetën e tij në shkretëtirë me një vetpërmbajtje të madhe në të ngrënë. Në fillim hante bukë, në më të shumtan e rasteve bajate. E merrte zakonisht të Dielën për gjithë javën. Ashtu siç na thotë një burim një pjesë ua jepte kafshëve dhe zogjve të pyllit që e donin dhe afroheshin në vëndin që ai lutej. Hante gjithashtu edhe perime nga kopshti i tij. Kishte bërë një kopësht perimesh që sa të qe e mundur të mos i bëhej barrë manastirit. Stareci dëshironte,sipas traditës të Apostull Pavlit, të ushqehej me duart e tij. Më vonë, filloi të mos hajë as bukë.Kishte marrë bekim nga igumeni Isaia që të ushqehej vetëm me kokrra patate, rrepa, presh dhe një bimë që quhej snit. Javën e parë të kreshmës së madhe, nuk vinte asgjë në gojë, deri të shtunën kur kungohej. Më vonë përparoi në kreshmë me një shkallë të pabesueshme. Jetoi dy vjet me rradhë pa marrë asgjë nga manastiri. Vëllezërit çuditeshin dhe pyesnin se me çfarë jetonte në dimër, por ai i fshihte me ngulm përpjekjet e tij. Pak para vdekjes i tha një njeriu të tij të besuar:
– E di se ç’është sniti? Këtë bimë e mblidhja, e vija në një tenxhere të vogël dhe e vija mbi sobë duke e zierë me ujë. Bëhej një gjellë e shkëlqyer.
– Mos vallë është sniti diçka alegorike? – pyeti folësi.
– Ju nuk e njihni se çfarë është? Unë jetova për shumë kohë duke ngrënë vetëm këtë bimë të cilën e përgatisja vetë.
– Po në dimër at ku e gjeje?
– Në dimër e haja të thatë. Vëllezërit e manastirit çuditeshin se si jetoja, por unë nuk ua thoja arsyen, vetëm ty po ta them.
– Sa herë haje snit në kohën e njëmijë ditëve?
Stareci i dha përgjigjen e saktë por bashkëfolësi e harroi.
Të dielën dhe festat vinte në manastir. Mbrëmësoren dhe mëngjesoren e ndiqte në kishën e spitalit dhe në Liturgjinë Hyjnore kungohej gjithnjë.
Pastaj shkonte në qelinë e tij deri në mbrëmësoren e ditës tjetër. Në këto orë priste vëllezërit të cilët vinin për të zgjidhur çështje të ndryshme shpirtërore. Pas orës së mbrëmësores merrte bukën dhe shkonte në shkretëtirë.
Javën e parë të kreshmës së madhe e kalonte në manastir. Në këto ditë përgatitej, rrëfehej dhe kungohej. Ati i tij shpirtëror prej shumë kohësh ishte at Isaia. Gjithë etërit që jetonin në shkretëtirë kishin pranë tyre një murg fillestar. Starec Serafimi jetonte vetëm fare. Disa vëllezër përpiqeshin të jetonin bashkë me të por asnjë nuk mundej ta ndiqte programin e ashpër që kishte ai dhe shpesh ktheheshin në manastir. Shumë vëllezër shkonin ta vizitonin vetëm sa për ta parë,kurse të tjerë për tu këshilluar. Dhe shenjtori gjatë këtyre vizitave u shfaqej vetëm atyre që kishin nevojë me të vërtetë. Në qoftë se at Serafimi takonte ndonjë njeri në shkretëtirë i bënte një përkulje të vogël dhe largohej.
“Askush nuk u pendua nga heshtja” – thoshte. Një takim i berë me të në shkretëtirë,shkaktonte habi dhe përshtypje të pashlyeshme për vizitorin. Stareci i jepte mundësitë për të mësuar dikujt sa nga jeta, aq edhe nga fjala e tij.
Fragment nga libri SHEN SERAFlMI I SAROV
Botuar nga «KOSHERJA ORTODOKSE»
Nga jeta e Shën Serafimit