Përmbledhje nga jeta e Shën Nikodhimit të Beratit
“Le të lavdërojmë të gjithë oshënarin dhe dëshmorin Nikodhim, mburrjen e Ilirisë dhe nderin e Athosit, sepse duke mposhtur armikun me asketizëm, lavdëroi Krishtin si një atlet me ndihmën e Virgjëreshës çuditërisht, të cilit le ti thërresim: Lavdi Atij që të fuqizoi, lavdi Atij që të mbajti të paprishur, lipsanin tënd.”
Nikodhimi e kishte origjinën nga Vithkuqi i Korçës. Ai banonte në Berat dhe ushtronte mjeshtërinë e rrobaqepësit. Në fillim quhej Nikolla Dede dhe ishte martuar tre herë. Pas vdekjes së gruas së tretë bëri apostazi, sepse kanonet kishtare nuk e lejonin martesën e katërt. Gruan e katërt e kishte myslimane dhe për hir të saj u kthye në fenë islame. Djali i parë, i cili ishte në moshë madhore nuk pranoi të konvertohej, prandaj u largua nga shtëpia dhe u vendos në Malin e Shenjtë. Kur mori vesh që i biri ishte në Malin Athos, Nikollës i lindi dëshira ta takonte. Nikolla vajti në Athos ku ndodhi mrekullia. Pasi pa jetën e murgjve, lutjet, agjërimet dhe shërbesat fetare, u pendua dhe e kuptoi mëkatin që kishte bërë duke mohuar Krishtin. Nikolla vajti në Skitin e Shën Anës, u paraqit tek oshënar Filotheu dhe u bë murg duke marrë emrin Nikodhim. Atje iu përvesh një pendese të tillë sa agjëroi për tre vjet, duke iu lutur Perëndisë. Në Malin Athos, Nikodhimi mësoi se ai njeri që mohonte Krishtin përpara njerëzve mund të falej nga Perëndia vetëm po ta pohonte atë përsëri përpara njerëzve, prandaj i lindi dëshira për t’u kthyer në Berat e të pohonte Krishtin para të gjithëve. Para se të nisej, pati një takim me asketin e dëgjuar të Athosit me oshënarin Akakios Kapsokalivias, të cilit i kërkoi këshilla. Ky e nxiti të kthehej në vendlindje dhe Nikodhimi me shkopin në dorë u nis për në Berat. Me të ardhur në Berat njerëzit e njohën dhe meqënëse e kishin marrë vesh me kohë çështjen e rikthimit të tij në krishterim, e denoncuan duke e shpënë te kadiu.
Në fillim kadiu u përpoq ta bindte të hiqte dorë nga një akt i tillë, por duke parë se nuk arrinte gjë me fjalë urdhëroi ta hidhnin nga kalaja e qytetit lartësia e të cilit ishte e madhe.Shenjtori ra pa pësuar asgjë si të ishte një “shqiponjë ” që fluturonte.U ngjit pësëri dhe shkoi përpara kadiut.Kadiu u frikësuar donte ta linte të lirë por i trembej popullit dhe ua dorrëzoi njerëzve.
Ata e morrën dhe e torturuan për tre ditë dhe netë me radhë dhe më pas u nisën drejt vëndit të martirizimit,pikërisht atje ku Zoti Krisht i kish thënë Nikodhimit.Gjatë rrugës e kërcënonin se do i prisnin kokën duke u munduar ta bindnin të mohoj Krishtin por Shenjtori lutej vazhdimisht dhe qëndroi i patrembur përpara ekzekutimit.
Shpirti i tij u ngjit tek Zoti më 10 Korrik,duke mbajtur kurorën e martirëzimit.
Lipsanet e shenjtit
Martirizimi i Nikodhimit u bë në fshatin Bubullimë. Në vitin 1762 lipsanet e shenjtit u vendosën në kishën e Shën Marisë në Mangalem. Në kohën e pushtimit fashist italian kisha e Shën Marisë u prish, sepse u zgjerua rruga, prandaj lipsanet e shenjtit i shpunë në kishën e Shën Mëhillit. Pas prishjes së kishave në vitin 1967 lipsani u shpërbë. Eshtrat i morën besimtarët me shpresë se do tu sillnin fat, ndërsa kokën e shenjtit e mori psalti Lili Thimi Koçi dhe e fshehu ne murin e shtëpisë së tij për ta ruajtur nga ndonjë grabitje ose përdhosje e mundshme. Koka e shenjtit ruhet në një kuti prej argjendi, e cila peshon 755 gram. Kutia e argjendtë u gdhend nga argjendarët beratas. Më 10 korrik 1991, i biri i Lili Koçit, Llazari e çmurosi kokën e shenjtit dhe e shpuri në kishë për tu falur besimtarët. Çdo 10 korrik koka e Shën Nikodhimit të Beratit dërgohet në kishën e Shën Mëhillit, prej Llazar Koçit, i cili e ruan me fanatizëm në shtëpinë e tij. Sipas kumtimit gojor të Dr. Thimi Koçit pelegrinë të shumtë vijnë nga Vithkuqi i Korçës, por edhe nga vise të tjera të Shqipërisë për tu falur me shprestari para kokës së shenjtë të Nikodhimit të Beratit.
Marrë nga gazeta “Ngjallja”
Botim i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë