/ Jetë Shenjtorësh dhe Asketësh / Profeti Zaharia

Profeti Zaharia

Profeti Zaharia

 

Profeti i shenjtë Zaharia, ishte biri i priftit Ido. Sipas një urdhri të Kirit Profeti Zaharia u kthye nga internimi në Babiloni.Ai nisi të profetizonte në Jerusalem me profetin Agje, për të nxitur judenjtë që të rinisnin punën e rindërtimit të tempullit.
Pasi e qortoi popullin që të linin punët e këqija dhe të ktheheshin te Perëndia: “Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem te ju, thotë Zoti Savaoth” (Zah. 1:4), ai bën të ditur nëpërmjet profecive të tij se rindërtimi i tempullit do të jetë shenja e dashamirësisë hyjnore për popullin e lodhur. “Zoti do ta ngushëllojë përsëri Sionin, ai do të zgjedhë përsëri Jerusalemin” (1:17). “Kështu flet Zoti. Do të kthehem në Sion dhe do të banoj në mes të Jerusalemit, Jerusalemi do të quhet Qyteti i Besnikërisë dhe mali i Zotit Savaoth, Mali i shenjtë” (8:3), sepse Perëndia e do me një dashuri të madhe popullin e Tij.
Në një vizion tjetër, profeti pa një engjëll që zbriti nga qielli, për të matur me një litar përmasat e qytetit të ri të Perëndisë, portat e të cilit do të mbeten të hapura, për shkak të shumicës së banorëve të tij, mur i zjarrtë (2:9) rrethues i të cilit do të jetë Perëndia.
Atje Shërbëtori i zgjedhur i Zotit, Mesia, Dielli që lind i ardhur nga lart, do të hyjë me përulësi, hipur mbi një pulisht, për të marrë zotërimin e mbretërisë së Tij me anë të Pësimit jetëdhënës.
Ndër shekuj, zëri i profetit Zaharia, i rimarrë nga ungjillorët, dëgjohet për të himnuar përulësinë e Zotit: “Ngazëllohu fort, o bijë e Sionit! Thirr nga gëzimi, bijë e Jerusalemit! Ja mbreti yt po vjen te ti: i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, …mbi një pulisht” (Zah. 9:9. Shih Matth. 21:5).

Profeti Zaharia paratha gjithashtu se Krishtin do ta dorëzojnë për 30 monedha argjendi (11:13) dhe paralajmëroi qartë pësimin e Tij, duke thënë: “Dhe ata do të shikojnë drejt meje, atë që e kanë shpuar. Ata do të vajtojnë mbi të, sikur të qajnë për një djalë të vetëm” (12:10, shih. Jn. 19:37).
Por kjo do të jetë një vdekje shpëtimtare. Falë këtij Pësimi, do të rivendoset Shtëpia e Davidit. Dhe pas ardhjes së Shpëtimtarit “në atë ditë, do të ketë një burim të hapur për Davidin dhe për banorët e Jerusalemit, për të larë mëkatin dhe ndotjen” (13:1). Ky qytet i shenjtë do të ndriçohet nga një llambador mbi të cilin do të ndodhen shtatë llamba, sytë e Zotit, që paraqesin shtatë dhuratat e Shpirtit të Shenjtë që i dërgohen Kishës gjatë Pentikostisë.

Prandaj profeti pa këto llamba, që ishin të ushqyera me vaj nga dy pemë ulliri, Zorobabeli e Josueu, përfaqësues të pushtetit politik dhe të autoritetit shpirtëror, që Krishti do të bashkojë në personin e Tij hyjnor-njerëzor.
Me sytë e shpirtit të kthyer tek e ardhmja, Zaharia perceptoi në dritën e Mesisë qëllimet më të larta të gjinisë njerëzore dhe paratha betejën e madhe në ditët e fundme, që do të ndodhë kur të gjitha kombet do të mblidhen në Jerusalem për t’u gjykuar nga Perëndia dhe për t’u provuar nga zjarri. Vetë Zoti do të shfaqet atëherë, dhe të gjithë shenjtorët bashkë me Të; këmbët e Tij do t’i vendosë mbi malin e Ullinjve, duke hapur një luginë të madhe.
Në këtë ditë të veçantë, drita e Perëndisë do të shkëlqejë përfundimisht, e kështu nuk do të ketë më ditë ose natë, ujëra të gjalla do të burojnë nga Jerusalemi për të vaditur botën mbarë. “Zoti do të jetë i vetmi Zot dhe emri i tij do të jetë unik” (14:19). Do të kremtohet një festë pa mbarim, në të cilën do të ftohen të gjitha kombet e dheut, judenj e paganë, ndërsa armiqtë do të vajtojnë përjetësisht në flakët e dënimit.

Në këtë Qytet të shenjtë do t’i ofrohet sakrificë Zotit, asgjë e ndyrë dhe keqe nuk do të hyjë, madje edhe tenxheret dhe zilet e kuajve do t’i kushtohen Perëndisë dhe do të mbajnë emrin e Zotit, që do të jetë tashmë gjithçka në të gjithë.

Profeti i shenjtë Zaharia dorrëzoi frymën e tij te Perëndia në moshë të madhe dhe u varros pranë profetit Agje.

 

Përkthyer nga N. Ikonomi

 

Profeti Zaharia