/ Jetë Shenjtorësh dhe Asketësh / Shën Andrea Kryepiskop i Kretës

Shën Andrea Kryepiskop i Kretës

Shën Andrea Kryepiskop i Kretës

 

Ishte bërë shtatë vjeç dhe akoma nuk po i vinte goja. Prindërit e tij shpresëtarë, Jorgji dhe Grigoria ndjenin dhimbje të thellë, por problemin e tyre e kishin lënë në dorë të Zotit. Njëkohësisht ata kultivonin tek fëmija i tyre besimin dhe shpresëtarinë. 

Mirëpo, pikërisht në atë moshë, midis shtatë tetë vjetësh, Perëndia i tërëmirë deshi të bënte çudinë e Tij. Në një Meshë Hyjnore, pas Kungimit me Trupin dhe Gjakun e Zotit, iu zgjidh gjuha, dhe fëmija nisi të flasë në rregull.

Që atëherë ai iu kushtua menjëherë studimit me zell të madh, eci shumë shpejt përpara, u pajis me kulturë të shëndoshë dhe u bë njeri i ditur i kohës së vet. Në fillim qe ngarkuar me administrimin e dy institucioneve (jetimore) të mëdha të Konstandinopojës dhe duke pasur parasysh se sa kishte vuajtur vetë në vogëli, ishte tepër i interesuar për mbarëvajtjen e tyre. Më vonë u bë episkop i Kretës dhe u shqua për poezinë dhe himnet, si një nga himnografët më të dalluar të Kishës. Kush? Ai që ishte lindur memec! Eshtë shpallur madje edhe shenjt. Eshtë Shën Andrea i Kretës që përkujtohet më katër korrik. 

Vërtetë! Ç’mesazh i lartë shprese është ky tregim për prindërit, për fëmijët dhe për të gjithë të krishterët! “Mos e humbni shpresën kurrë, – na thotë, – duroni, besoni dhe faluni. Sado të rënda qofshin vështirësitë dhe pengesat mos u dorëzoni por kini shpresë”. 

Këto fjalë na kujtojnë fjalët optimiste të Apostull Pavlit, i cili thotë: “Në të gjitha këto ne jemi më shumë se fitimtarë, me fuqinë e Atij që na deshi” (Rom. 8:37). Të rrethuar nga prapësitë e shumta, nga vështirësitë dhe pengesat, ne dalim fitues, madje më tepër kur kemi pranë dhe brenda në zemrën tonë Krishtin.

 

Përkthyer nga A. Marini

 

Shën Andrea Kryepiskop i Kretës