/ Jetë Shenjtorësh dhe Asketësh / Shën Joan Kukuzeli

Shën Joan Kukuzeli

Shën Joan Kukuzeli

 

Joan Kukuzeli, lindi në qytetin e Durrësit. I ati i vdiq kur ishte shumë i vogël, dhe nëna e tij u mor me edukimin e Joanit, duke ia besuar mësuesve më të mirë të asaj kohe. Joani u dallua për  zgjuarsinë e rrallë,  dhe për zërin e tij ëngjëllor.

Duke parë  talentin e tij , e dërguan në Konstandinopojë, në kryeqytetin e perandorisë, për të studiuar dhe kënduar në oborrin perandorak.

Joani u bë një anëtar i oborrit perandorak dhe favorit i vetë perandorit.Zërin e tij të mahnitshëm e quajtën “zë engjëllor”. Kur ai këndonte  në kishën e Shën Sofisë, mblidheshin të gjithë për ta dëgjuar dhe të prekur nga ai zë, fillonin të qanin me ngashërim.

Megjithëse ishte pëlqyer nga  perandori dhe i nderuar nga të gjithë, zemra e tij nuk ishte e gëzuar. Shpirti i tij dëshironte një jetë asketike kushtuar tërësisht Zotit. Madje mbreti ngaqë e donte shumë donte që ta martonte me një vajzë të një fisniku.Shën Joani, vendosi të largohej fshehurazi. Kështu, i veshur si  bari , u largua dhe shkoi  në Malin e Shenjtë ,në manastirin e Lavrës së Shenjtë. Atje kërkoi të pranohej në jetën murgjërore. Askush nuk e kuptoi se  ky bari ishte  artisti i madh, fama e të cilit kishte arritur edhe në Malin e Shenjtë.

Një ditë, kur kulloste dhitë në një vend të shkretë, duke menduar se ishte vetëm, filloi të këndonte një himn kushtuar Hyjlindëses Mari, me zë  të lartë. Por një asket që banonte aty pranë e dëgjoi dhe i mahnitur nga bukuria e zërit dhe e melodisë, shkoi tek igumeni i Lavrës së Madhe, i cili  e thirri bariun dhe e detyroi t’i tregonte të vërtetën. Joani iu lut që të rrinte në manastir e të mos e dorëzonte tek perandori, sepse donte më shumë jetën murgjërore, sesa jetën e oborrit.

Igumeni i kërkoi që ta linte punën e bariut dhe të merrte drejtimin e korit të kishës qendrore të manastirit. Joani u bind. Por në të njëjtën kohë, igumeni i cili nuk donte të ishte në kundërshtim me urdhrat e perandorit, u nis për në Konstandinopojë për  t’i kërkuar falje për Joanin. Monarku donte që të gjithë të përuleshin para vullnetit hyjnor dhe e urdhëroi igumenin që Joani të lihej i lirë dhe të vendoste vetë se çfarë do të bënte. Igumeni plot gëzim u kthye në manastir dhe i dha lajmin e gëzuar Joanit dhe vëllezërve të manastirit.

Shën Joani vazhdoi jetën e tij asketike  më shumë se më parë.Qëndroi në një shtëpi dedikuar Kryeengjëjve të Shenjtë, pranë manastirit, duke praktikuar agjerimin, pendimin dhe lutjen e pandërprerë. Pjesën tjetër të jetës e kaloi duke i kënduar këngë e lavde Zotit dhe Hyjlindëses Mari, si edhe duke kompozuar shumë pjesë muzikore kishtare,të cilat janë thesare në Kishën  Ortodokse.

 Mësoi ditën e vdekjes, shumë kohë më parë, prandaj kur u afrua,  mblodhi të gjithë vëllezërit, u kërkoi ndjesë dhe i porositi që ta varrosnin në shtëpinë e Kryeengjëjve të Shenjtë, aty ku jetoi. Ndërroi jetë më 1 tetor.

Shumë e njohur është mrekullia kur iu shfaq Shën Maria Hyjlindëse,e cila  e shpërbleu me një monedhë floriri për himnet e tij të mrekullueshme.Sot në Kishën e vogël për nder të tij, ndodhet edhe ikona “Shën Maria e Kukuzelit”,Kukuzelisa.

Kremtimi i tij festohem më 1 Tetor.

 

Kisha Orthodhokse

Autoq efale Shqipërisë

http://orthodoxalbania.org/

Shën Joan Kukuzeli