E 2 Mateut- Ungjilli i të djelës
(Mt 4:18:23)
18 Edhe tek ecte pranë detit të Galilesë, Jisui pa dy vëllezër, Simonin, që thirrej Pjetër, edhe Andrean, vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det; sepse ishin peshkatarë. 19 Edhe u thotë atyre: Ejani pas meje, edhe do t’ju bëj peshkatarë njerëzish. 20 Edhe ata menjëherë lanë rrjetat, e shkuan pas tij. 21 Edhe si shkoi më tej, pa dy vëllezër të tjerë, Jakovin, të birin e Zebedeut, edhe Joanin, të vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, të atin e tyre, duke rregulluar rrjetat e tyre, edhe i thirri ata. 22 Edhe ata përnjëherë lanë lundrën edhe të atin e tyre, edhe shkuan pas tij.
> 23 Edhe Jisui vinte përqark gjithë Galilesë, duke mësuar nëpër sinagogat e tyre, edhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë, edhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull. 24 Edhe shkoi zëri i tij nëpër gjithë Sirinë, edhe sollën tek ai gjithë ata që kishin keq, që vuanin prej sëmundjesh dhe mundimesh të ndryshme, edhe të demonizuar, epileptikë, e të paralizuar; edhe i shëroi ata. 25 Edhe i shkuan pas shumë turma nga Galilea e nga Dekapoli e nga Jerusalemi e nga Judea edhe që përtej Jordanit.
Kisha Orthodhokse
Autoqefale Shqipërisë
http://orthodoxalbania.org/