E Diela e Dymbëdhjetë e Mateut
Pasazhi i Ungjillit: Ungjilli i Mateut 19:16-26
Pasazhi i Apostullit: Letra e Parë për Korintasit 15: 1-11
Kjo e Dielë e fundit e muajit Gusht për besimtarët orthodhoksë vjen pas festimit të kujtimit (24 Gusht) të një shenjtori, martiri dhe apostullit të shekujve të fundit, Shën Kozmait. Kështu që e Diela e sotme ka një lidhje direkte dhe indirekte me kujtimin e këtij martiri të besimit tek Perëndia. Kështu në pasazhin e ungjillit të sotëm kemi në qendër pyetjen që çdo besimtar dhe jo vetëm ia bën dhe duhet t’ia bëjë jetës së tij – ç’duhet të bëj që të fitoj jetën e përjetshme? Këtë pyetje njeriu ia drejton së pari Perëndisë dhe padyshim edhe vetes së tij. Dhe përgjigjen njeriu duhet ta gjejë tek Perënida, qoftë të komunikimit lutës dhe shpirtëror me të, qoftë duke lexuar e duke kuptuar mesazhet e Perëndisë në zbulimet e tij hyjnore. Megjithatë përgjigjja përfundimtare mbetet e Perëndisë, pasi Ai është i gjithëditur.
Dhe sigurisht njeriu nuk mjafton që të drejtojë kërkesa se çfarë duhet të bëj, por edhe të pranojë përgjigjen e Perëndisë, e cila jo rrallë herë është e ndryshme nga përgjigjja që njeriu ka përgatitur më parë në mendjen e tij dhe që është larg përgjigjes autentike të Perëndisë. Ashtu si njeriu nuk duhet të konsiderojë përgjigjen e Perëndisë si një vërtetim për të justifikuar interesat apo veprimet e tij, të cilat gjenden larg vullnetit dhe realitetit hyjnor. Kështu njeriu jo vetëm duhet të marrë iniciativën për t’iu lutur Perëndisë dhe t’i kërkojë se çduhet të bëjë për të fituar jetën e përjetshme, por duhet të presë me seriozitet, perëndishmëri dhe përulësi përgjigjen e Perëndisë.
Një element tjetër, që e pengon njeriun për të dëgjuar dhe pranuar përgjigjen e Perëndisë, është posedimi i të mirave materiale. Ato shpesh herë bëhen pengesë për çlirimin shpirtëror të njeriut, sepse konsiderohen si element shpëtues i njeriut. Kështu që qenia njerëzore ndahet në perceptimin e shpëtimtarit, pasi një pjesë e vogël e konsiderojnë Perëndinë shpëtimtar, ndërsa shumica e njerëzve dhe Perëndinë apo perëndi të krijuar nga fantazia njerëzore dhe materien e konsiderojnë si shpëtimtare të tyre. I gjendur në këtë situatë, ku shpëtimi konsiderohet si një varësi nga materia dhe jo çlirim nga materia, qenia njerëzore e ka të pamundur shpëtimin dhe jo më kot shprehet Jisu Krishti se më lehtë e ka të hyjë deveja në vrimën e gjilpërës se njeriu në Mbretërinë e Perëndisë.
Shpëtimi është të dëgjohet përgjigjja e Perëndisë, e cila ofrohet nëpërmjet shembujve të personave të shenjtë, teksteve të shenjta dhe padyshim shfaqjes së Perëndisë në vegime hyjnore. Komunikimi me Perëndinë është komunikim lutës, adhurues e shpirtëror. Këtë bëri dhe Shën Kozmai, kujtimin e të cilit, besimtarët e krishterë orthodhoksë e kremtuan më 23 Gusht.
Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë
Kisha “Apostull Pavli & Shën Asti”, Durrës