E Shtuna e Madhe
(Mth.28:1-20)
Edhe si shkoi e shtuna, duke gdhirë e Dielë, që është e para ditë e javës, erdhi Maria Magdalena, edhe Maria tjetër, që të shihnin varrin. 2 Edhe ja tek u bë një tërmet i madh; sepse engjëlli i Zotit zbriti nga qielli dhe erdhi e rrokullisi gurin nga dera e varrit, edhe rrinte sipër tij. 3 Edhe pamja e tij ishte si vetëtimë, edhe rroba e tij e bardhë si dëborë. 4 Edhe ata që ruanin, u drodhën nga frika e atij, edhe u bënë si të vdekur. 5 Edhe engjëlli u përgjigj e u tha grave: Mos kini frikë ju, sepse e di se kërkoni Jisuin që u kryqëzua. 6 Nuk është këtu, sepse u ngjall, siç pati thënë. Ejani, shihni vendin ku dergjej Zoti. 7 Edhe shkoni shpejt e u thoni nxënësve të tij se u ngjall prej së vdekurish; edhe ja tek po shkon më përpara se ju në Galile; atje do ta shihni atë. Ja tek jua thashë juve.
8 Edhe ato dolën shpejt nga varri me frikë e me gëzim të madh, edhe vrapuan të lajmëronin nxënësit e tij.
9 Edhe duke shkuar t’u jepnin zë nxënësve të tij, ja Jisui i takoi ato, e u tha: Gëzohuni. Edhe ato i erdhën pranë e i zunë këmbët dhe iu falën.
10 Atëherë Jisui u tha atyre: Mos kini frikë, shkoni, lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile, edhe atje do të më shohin.
11 Edhe ndërsa ato ishin duke shkuar, ja ca nga rojet tek erdhën në qytet e lajmëruan kryepriftërinjtë për gjithë sa u bënë. 12 Edhe ata u mblodhën bashkë me pleqtë dhe, si u këshilluan, u dhanë ushtarëve mjaft argjende, duke thënë: 13 Thoni se nxënësit e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim. 14 Edhe në u dëgjoftë kjo nga qeveritari, ne do t’i mbushim atij mendjen dhe do të bëjmë që ju të mos keni përgjegjësi. 15 Edhe ata si morën argjendet, bënë siç u mësuan. Edhe kjo fjalë u përhap nëpër Judenjtë deri në ditët e sotme.
16 Edhe të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në malin që i pati porositur Jisui. 17 Edhe kur e panë, iu falën atij; po disa nga ata ngurruan. 18 Edhe Jisui erdhi pranë e u foli atyre, duke thënë: M’u dha çdo pushtet në qiell e mbi dhe. 19 Shkoni pra e mësoni gjithë kombet, edhe i pagëzoni në emrin e Atit e të Birit dhe të Frymës së Shenjtë. 20 Edhe i mësoni ata të ruajnë gjithë sa ju kam porositur juve. Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës. Amin.
Kisha Orthodhokse Autoqefale Shqipërisë
http://orthodoxalbania.org/
E Shtuna e Madhe