/ Ungjilli i të djelës / Ngjallja e Llazarit

Ngjallja e Llazarit

Ngjallja e Llazarit

 

Joani 11:1-45

 

Edhe ishte një i sëmurë, Llazari nga Betania, nga fshati i Marisë e i Martës, motrës së saj. 2Dhe Maria ishte ajo që leu Zotin me miro, edhe fshiu këmbët e tij me flokët e saj, vëllai i së cilës, Llazari, ishte sëmurë. 3Të motrat pra, dërguan tek ai, duke thënë: Zot, ja ai që do ti, është sëmurë.

4Edhe Jisui kur dëgjoi tha: Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që të lavdërohet i Biri i Perëndisë me anë të saj.

5Edhe Jisui i donte Martën dhe të motrën e saj dhe Llazarin. 6Kur dëgjoi pra, se është sëmurë, atëherë qëndroi dy ditë në atë vend ku ishte. 7Pastaj, pas kësaj u thotë nxënësve: Le të shkojmë prapë në Jude. 8Nxënësit i thonë: Rabbi, tani Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë, edhe përsëri po shkon atje? 9Jisui u përgjigj: A nuk ka dymbëdhjetë orë dita? Në ectë dikush ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote. 10Po në ectë dikush natën, pengohet, sepse s’ka dritë në të.

11Këto tha, edhe pastaj u thotë atyre: Llazari miku ynë ka fjetur. Po shkoj që ta zgjoj. 12Nxënësit e tij i thanë, pra: Zot, në ka fjetur, do të shpëtojë. 13Po Jisui kishte thënë për vdekjen e tij; kurse ata pandehën se thotë për fjetjen e gjumit. 14Atëherë pra Jisui u tha atyre haptas: Llazari vdiq. 15Edhe gëzohem për ju, që të besoni, sepse nuk qeshë atje. Por le të shkojmë tek ai. 16 Thomai pra, që quhej binjak, u tha bashkënxënësve: Le të shkojmë edhe ne, që të vdesim bashkë me të.

17Kur erdhi pra Jisui, e gjeti se kishte tashmë katër ditë në varr.

18Edhe Betania ishte afër Jerusalemit rreth pesëmbëdhjetë stade. 19Edhe shumë prej judenjve kishin ardhur te Marta e te Maria, që t’i ngushëllonin për të vëllain e tyre. 20Marta pra, kur dëgjoi se po vjen Jisui, i doli përpara; edhe Maria rrinte në shtëpi.

21Marta pra, i tha Jisuit: Zot, të ishe këtu, im vëlla nuk do të vdiste. 22Po edhe tani e di se sa t’i kërkosh Perëndisë, do të t’i japë Perëndia. 23Jisui i thotë asaj: Yt vëlla do të ngjallet. 24I thotë atij Marta: E di se do të ngjallet në ngjallje në ditën e fundit. 25Jisui i tha: Unë jam ngjallja dhe jeta. Ai që më beson, edhe në vdektë, do të rrojë. 26Edhe kushdo që rron e më beson, nuk do të vdesë për gjithë jetën. A e beson këtë? 27I thotë atij: Po, Zot, unë kam besuar se ti je Krishti, i Biri i Perëndisë, që vjen në botë.

28Edhe si tha këto, shkoi e thërriti fshehtas Marinë, të motrën e saj, e i tha: Mësuesi është këtu dhe po të thërret. 29Ajo, kur dëgjoi, ngrihet shpejt dhe vjen tek ai. 30Jisui ende s’kishte ardhur në fshat, por ishte në atë vend ku i doli përpara Marta. 31Judenjtë pra, që ishin bashkë me të në shtëpi dhe e ngushëllonin, kur panë Marinë se u ngrit shpejt e doli, i shkuan prapa, duke thënë se po shkon në varr për të qarë atje.

32Maria pra, si erdhi atje ku ishte Jisui, kur e pa atë, i ra ndër këmbë, duke i thënë atij: Zot, po të ishe këtu, vëllai nuk do të më vdiste. 33Jisui pra kur pa atë duke qarë, edhe judenjtë që kishin ardhur bashkë me të duke qarë, rënkoi thellë në shpirtin e tij, edhe u trazua. 34E tha: Ku e keni vënë? I thonë: Zot, eja e shih. 35Jisui derdhi lot. 36Judenjtë pra thoshin: Shih sa e donte. 37Po disa prej tyre thanë: Nuk mundej ky që hapi sytë e të verbrit të bënte që edhe ky të mos vdiste?

38Jisui pra përsëri duke rënkuar thellë në vetvete vjen në varr. Edhe ishte një shpellë, dhe mbi të ishte vënë një gur. 39Jisui thotë: Ngrini gurin. Marta, e motra e të vdekurit, i thotë: Zot, vjen erë tani, sepse ka katër ditë. 40Jisui i thotë asaj: A nuk të thashë se në besofsh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë? 41Ngritën pra gurin, ku dergjej i vdekuri. Edhe Jisui ngriti sytë lart, e tha: Atë, të falënderoj se më dëgjove. 42Edhe unë e dija se përherë më dëgjon; po e thashë për popullin që rri përreth, që të besojnë se ti më dërgove. 43Edhe si tha këto, thirri me zë të madh: Llazar, dil jashtë. 44Edhe i vdekuri doli, lidhur këmbë e duar me rripa pëlhure; edhe fytyra e tij ishte mbështjellë me shami. Jisui u thotë atyre: Zgjidheni, edhe lëreni të shkojë.

45Shumë pra prej judenjve, që kishin ardhur te Maria, dhe panë sa bëri Jisui, i besuan.

 

Kisha Orthodhokse

Autoq efale Shqipërisë

http://orthodoxalbania.org/

 

Ngjallja e Llazarit