E 6 Mateut- Ungjilli i të djelës
Mt.6:22-33
22 Kandili i trupit është syri. Në qoftë pra se syri yt është i kthjellët, gjithë trupi yt do të jetë i ndritshëm. 23 Po në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë i errët. Në qoftë pra se drita që gjendet tek ti është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira?
24 Asnjë s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose njërin do ta urrejë, edhe tjetrin do ta dojë; ose njërit do t’i ngjitet prapa, edhe tjetrit do t’i kthejë krahët. Nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe Mamonait. 25 Prandaj po ju them juve: Mos u shqetësoni për jetën tuaj, ç’të hani edhe ç’të pini; as për trupin tuaj ç’të vishni. A nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi, edhe trupi se të veshurit? 26 Vështroni shpendët e qiellit, se nuk mbjellin as nuk korrin, as nuk mbledhin në grunarë, edhe Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk ndryshoni ju më tepër se ata? 27 Po cili nga ju duke u shqetësuar mund të shtojë një kut në shtatin e tij? 28 Edhe pse shqetësoheni për veshjen? Vështroni zambakët e arës, si rriten; as mundohen, as endin. 29 Po ju them juve, se as Solomoni me gjithë lavdinë e tij nuk qe veshur ashtu si një nga këto. 30 Po në qoftë se barin e arës, që sot është e nesër hidhet në furrë, Perëndia e vesh kështu, a nuk do t’ju veshë ju shumë më tepër, o besëpakë? 31 Po mos u shqetësoni pra duke thënë: ç’të hamë a ç’të pimë a ç’të veshim? 32 Sepse gjithë këto i kërkojnë me ngulm kombet; sepse Ati juaj qiellor e di se keni nevojë për gjithë këto. 33 Po kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë, dhe drejtësinë e tij; dhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve.
Kisha Orthodhokse
Autoqefale Shqipërisë
http://orthodoxalbania.org/